I LARGUARI SHKËLQEN
Jones me double-double nis stinorin
15 March, 2016 @8:34
Basketbollisti 30 vjeçar i deritashëm i Bashkimit, Marcel Jones, që u largua nga ekipi për në Zelandë të Re së fundi, ka qenë protagonist kryesor i fitores së ekipit të tij të ri, në xhiron e parë të stinorit atje.
Për 31 minuta të kaluara në parket Jones ka shënuar double-double prej 22 pikëve dhe 11 kërcimeve në fitoren e Canterbury ndaj Nelson 100-86.
Jones ishte larguar nga Bashkimi 2 javë më parë, derisa drejtuesit e klubit kishin thënë se ai kishte shkuar për të shikuar familjen dhe do të kthehet.
Mesataret e larta
Marcel Jones me seriozitetin dhe lojën e tij la mbresa në basketbollin kosovar dhe ishte njëri ndër lojtarët më të mirë të ligës këtë stinor, si në Superligë, ashtu edhe në ligën ballkanike.
Ai ka pasur mesatare prej 22.9 pikëve këtë stinor në Superligë, pastaj 8.6 kërcime dhe 2.3 topa të vjedhur për ndeshje.
Në BIBL, Jones është ende lider i koshashënuesve me mesatare prej 21.6 pikëve për ndeshje si dhe 8 kërcime për ndeshje.