KRYETARI AKTUAL
Kandidati i vetëm
Teksti: FBK
31 May, 2016 @19:48
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu është kandidati i vetëm për të njëjtin post në Kuvendin Zgjedhor të FBK-së që do të mbahet më 7 qershor 2016.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar sot Komisioni për Verifikim të Mandateve dhe Nominimeve për Kuvend Zgjedhor të FBK-së, pra në ditën e fundit të dorëzimit të nominimeve për kryetar të FBK-së.
Komisioni verifikues në përbërje: Linda Shala, Valdet Spahija dhe Arben Fondaj, pas shqyrtimit të të gjitha delegimeve nga klubet dhe shoqatat anëtare të FBK-së dhe nominimeve të të njëjtëve për kandidatë për kryetar të FBK-së në periudhën 2016-2020 ka konstatuar se nga nominimet e dorëzuara në afatin ligjor në FBK se kandidati Erolld Belegu është nominuar për kryetar të FBK-së në periudhën 2016-2020 nga 23 anëtarë të FBK-së e ata janë, klubet e basketbollit: Sigal Prishtina , Peja, Bashkimi, Trepça, Golden Eagle Ylli, Vllaznimi, Kerasan Prishtina, Rahoveci , Drita (M), Kosova (M), Lipjani, Megasports, Prishtina e Re, Newborn Prishtina, Prishtina (F), Trepça (F), Kastrioti (F), Sfera(F), Golden Eagle Ylli (F), Kosova (F), Shoqatat : SHGJFBK, Minisbasketbollit dhe Sports for All. Në bazë të fakteve të lartcekura dhe materialit të shqyrtuar, Komisioni Verifikues ka konstatuar njëzëri se kandidati Erolld Belegu, në bazë të statutit dhe rregullores së punës së Kuvendit të FBK-së, i ka plotësuar kushtet për të garuar në Kuvendit Zgjedhor të datës 7 qershor 2016.
Ndërkaq kandidati Ferit Zekolli është nominuar nga 6 anëtarë të FBK-së e ata janë klubet e basketbollit: Kaçaniku, As Kastrioti, Penza(F), Bashkimi (F), Vllaznimi (F) dhe Shoqata Handikos Kosova. I njëjti nuk i ka plotësuar kushtet e parapara me statut dhe rregullore të Kuvendit të FBK-së, ngase nuk ka marrë nominimin e së paku 7 anëtarëve të FBK-së, sikurse parashihet me nenin 8 të rregullores së punës së Kuvendit dhe nenit 24 të statutit të FBK-së.