KRASNIQI TAKOHET ME KASTRATIN

Erjon Kastrati me top/ Foto: ekipa24.si
Kastrati, pranë Kosovës
24 January, 2016 @14:57
Aloja 198 centimetërshe, Erjon Kastrati, është takuar me trajnerin e përfaqësueses së Kosovës, Arben Krasniqi në Shkup.
Kastrati që luan për Krkan e Novo Mestos sllovene, ka qëndruar me ekipin e tij në Shkup për ndeshje të ABA ligës ndaj MZT-së shkupjane, ndërsa Krasniqi e ka shfrytëzuar për bisedë me lojtarin pas ndeshjes.
“Nuk është ende 100% e sigurtë nëse do të jem pjesë e Kosovës. Mirëpo, unë kam qejf të luaj për Kosovën,” ka thënë Kastrati në një bisedë ekskluzive me Borozani.com sot.
“Duhet biseduar me Federatën e Basketbollit të Sllovenisë (KZS) për të shikuar nëse ata më japin lejen të paraqitem për Kosovën, pasi që kam pasaportën e tyre,” ka shtuar basketbollisti 21 vjeçar.
Kosova për herë të parë do të jetë pjesë e kualifikimeve për Eurobasket 2017 dhe trajneri Krasniqi duhet të bëj gati reprezentacionin deri në verë, kur nisin përgatitjet intenzive para ndeshjeve kualifikuese.
Që të jetë edhe më i vështirë rasti i Kastratit, Kosova është në grup me Slloveninë, pastaj edhe me Bullgarinë e Ukrainën. Vendi i parë nga ky grup shkon direkt në Eurobasket 2017, ndërsa i dyti, duhet të arrijë kuotën e katër më të mirëve nga pozitat e dyta për qenë pjesë e Europianit në basketboll.
Kosova do të debutojë me ekipin senior në këtë garë më 31 gusht, pikërisht ndaj Sllovenisë.
