RICKEY GEORGE
Kastrioti mund të mbijetojë
18 March, 2014 @19:13
Trajneri amerikan i Kastriotit, Rickey George, është shprehur të jetë optimist për mbijetesë të ekipit të tij në Superligë, përkundër se aktualisht gjinden në pozitën e fundit të tabelës.
Pas disfatës nga Bashkimi në fundjavë, ai ka thënë se përkundër humbjes ai është i kënaqur me ekipin e tij dhe vetë mosdorëzimi i basketbollistëve deri në sekondat e fundit të ndeshjes tregon shumë.
Sipas tij Kastrioti duhet të punojë shumë për të mbijetuar.
“Po. Mendoj se do të mbijetojmë në Superligë. Kemi edhe një numër të madh ndeshjesh para nesh,” ka thënë George 32 vjeçar për Borozani.com.
Për më tepër, ai është shprehur edhe vizionar për të çuar ekipin ferizajas në rrugë për titull!
“Planifikoj që të qëndrojmë në Superligë dhe në të ardhmen, që në stinorin tjetër të bëhemi edhe më të fuqishëm për të luftuar pse jo edhe për titull,” ka thënë George.
“E tëra çka dua të them është se mos na nënçmoni,” ka thënë në fund trajneri i parë amerikan në klubin e Kastriotit.
Kastrioti ka arritur që të shënojë një fitore nga 4 ndeshjet e stinorit pranveror, por me lojë të mirë të qendrës Kenneth Cooper dhe organizatorit Bryce Cartwright kanë pasur paraqitje të lakmueshme ndaj Trepçës e Bashkimit.