SHQIP NË BOTË
Katërshja shqiptare e Sparta Pragës, pranë Ligës së Kampionëve
22 August, 2024 @9:37
Fitore e madhe për Sparta Pragën mbrëmë në Play Off të Ligës së Kampionëve, faza e fundit kualifikuse para fillimit të garës në fjalë.
Skuadra çeke triumfoi 0-2 në udhëtim te Malmo, duke qenë kështu shumë pranë arritjes së Ligës së Kampionëve, pasi që ndeshja kthyese luhet në Pragë.
Kështu, katërshja shqiptare e Sparta Pragës: Qazim Laçi, Indrit Tuci, Ermal Krasniqi e Albion Rrahmani e shohin veten në prag të garës më të rëndësishme evropiane për klube.
Mbrëmë, Qazim Laçi ishte startues dhe luajti 68’ minuta, ndërkohë që u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Ermal Krasniqi e Indrit Tuci ishin në bankë rezervë por nuk u inkuadruan, e Albion Rrahmani nuk ishte pjesë e të ftuarve, duke qenë se transferi i tij veçsa është finalizuar.
Përveç katërshes në fjalë në skuadrën seniore, pjesë e të rinjve të Sparta Pragës është edhe Enes Osmani, mesfushor i majtë me nënshtetësi çeke.