Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

REAGON EDHE TREPÇA

KB Trepça: I mirëpresim tifozët e të gjitha klubeve në “Minatori”

KB Trepça: I mirëpresim tifozët e të gjitha klubeve në “Minatori”


19 October, 2022 @19:37

Pas dueleve të komunikatave sot, së fundi ka reaguar edhe KB Trepça. Mitrovicasit kanë lëshuar një status në llogarinë zyrtare të ekipit në Facebook, ndërsa kanë bërë të ditur se mirëpresin të gjithë tifozët e të gjitha klubeve kosovare në “Minatori” - duke iu kundërpërgjigjur kështu KB Vëllaznimit, që e quajti skandaloze Vendimin e KG-së.

Mëposhtë mund të gjeni njoftimin e plotë të Trepçës.

Tifozët, pasuria e basketbollit


Jemi të vetëdijshëm për “bumin” që po e ripërjeton basketbolli kosovar. Dhe, duke lënë modestinë anash, vlerësojmë se klubi ynë ka merita të mëdha për këtë.
Shtëpia jonë, palestra “Minatori”, për kohë të gjatë tashmë po stëmbushet me shikues. Dhe imazhet nga foleja jonë po bëjnë xhiro në rrjetet sociale e nëpër media.

Si klub e si qytet jemi me fat që kemi një tifo-grup shembullor si “Torcida”. E kemi krah e lojtarë të gjashtë. Dhe për ne si klub është e pakuptimtë që të luajmë ndeshjen e radhës pa krahun tonë të djathtë.
Në fundjavë luajmë ndaj Vëllaznimit në Gjakovë. Për Vëllaznimin e Gjakovën, ne si klub e tifozët tanë, kemi respekt të veçantë. Jemi të sigurt se me “Torcidën” në palestër ndeshja do ishte spektakël i vërtetë. Prandaj është e pakuptueshme për ne si klub që Vëllaznimi nuk lejon tifozët tanë në palestër për ndeshjen e fundjavës. Për më tepër kjo po ndodhë për herë të dytë. Nuk na u lejuan tifozët tanë as në Pejë.

Tifozët janë pasuria e basketbollit dhe të gjithë ne duhet të angazhohemi për t’i mbajtur ata në palestra. Prandaj edhe nuk e kuptojmë vendimin e klubit mik nga Gjakova, siç nuk e kuptuam Pejën.
Ne i mirëpresim në folenë tonë tifozët e Vëllaznimit, por edhe të gjitha klubeve tjera. “Minatori” hap dyert për të gjithë ju.

Të gjithë duhet të angazhohemi për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në ndeshje basketbolli, ndonëse kjo ndonjëherë është sfiduese. Por sfidat na rritin e na zhvillojnë. Dhe ato duhet të kalohen. Mohimi i të drejtës për të parë ndeshjet e ekipit në udhëtim është veprim i gabuar.
Me shpresë se ky qëndrim do të ndryshojë dhe tifozët mysafirë do të jenë në palestrat tona.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga