VENDIMI I KG-së

Foto: KBTrepca/fb
“Torcida” udhëton në “Shani Nushi”
19 October, 2022 @12:18
Atmosferë e zjarrtë pritet të jetë në Gjakovë në përballjen e fundit të ciklit të parë të Superligës në basketboll, ku Vëllaznimi pret Trepçën. Kjo, pasi që për herë të parë këtë stinor miratohet udhëtimi i tifozëve mysafir në një palestër, ndërsa KG i FBK-së ka bërë të ditur për Vendimin në fjalë, ku ka theksuar:
1. Miratohet kërkesa e KB Trepça për udhëtim të organizuar të tifozëve të këtij klubi në ndeshjen e xhiros VII me KB Vëllaznimi. Udhërohen KB Vëllaznimi e KB Trepça të veprojnë sipas dispozitave të nenit 10 të PG-së.
Ndërsa për miratimin e kësaj kërkesë, KG ka bërë të ditur se ka marrë parasysh këto fakte:
I. KB Trepça ka dërguar me kohë kërkesën për rezervim të biletave dhe udhëtim të shikuesve mysafir në mënyrë të organizuar.
II. Në komunikim me anëtarë të KG-së zyrtarët e KB Vëllaznimi kanë shprehur brengën e tyre për sigurinë, por nukk e kanë argumentuar dhe nuk kanë dhënë dëshmi nga organet e sigurisë se udhëtimi i tifozëve mysafir në atë ndeshje paraqet rrezik të lartë.
III. Kemi pasur edhe praktika tjera të udhëtimit të tifozëve mysafirë në ndeshje.
Kështu, përballja ndërmjet Vëllaznimit dhe Trepçës që është paraparë të luhet më 23 tetor me fillim prej orës 17:00 në Shani Nushi pritet të jetë tepër interesante, pasi që ekipi gjakovar ka treguar se është sfidues në Superligë, ndërsa pritet të bëhet edhe debutimi i Emmanuel Omogbos në ekip. Në anën tjetër, Trepça kërkon t’i kthehet fitores në Superligë, pas humbjes nga Ylli në xhiron e fundit.
Shiko: TABELA AKTUALE E SUPERLIGËS
Pas gjashtë xhirove të para të stinorit Vëllaznimi ka bilanc 2-4, ndërsa Trepça 4-2.