KARAGAÇ
Aaron Cook Jr - zyrtarizohet te KB Peja
21 August, 2023 @12:55
Basketbollisti amerikan, Aaron Cook Jr., është zyrtarizuar si lojtar i ri i Pejës mbrëmë nga ekipi verdhezi. Kampionët aktual të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje me lojtarin e pozitave 1 dhe 2, ndërsa basketbollisti 25-vjeçar që së fundi ka qenë pjesë e ekipit lituanez Nevezis pritet të jetë shtesë në cilësi të skuadrës.
Cook Jr. ka luajtur 12 ndeshje për Nevezisin në Lituani, ndërsa mesatarisht ka pasur 18.3 minuta për ndeshje, duke shënuar 5.7 pikë, 2.8 asistime e 1.7 kërcime për lojë.
Para Lituanisë, ka bërë karrierë edhe në Qipro, ku ka qenë pjesë e ekipit Paralimni te të cilët me 35 minuta për ndeshje mesatarisht ka dhënë 16.7 pikë, 5.4 asistime e 3.9 kërcime për lojë.
Peja mposhti Trepçën në finale të playoffit të Superligës në stinorin e kaluar për të fituar titullin kampion pas një dekade. Verdhezinjtë kanë pasur disavantazhin e terrenit në serinë finale, por kanë arritur që të ndeshjen e pestë të triumfojnë jashtë, për ta rikthyer titullin e shumëkërkuar në Karagaç.