BASHKIMI-PRISHTINA
Këndellje në çerek të fundit për fitore
6 December, 2018 @20:53
Liderja e Superligës së Kosovës, Prishtina, ka hasur në rezistencë të madhe nga kampioni aktual i Kosovës, Bashkimi, sonte në Sezai Surroi dhe vetëm në saje të shpërthimit në çerek të fundit, ka mbrojtur pamposhtshmërinë e saj.
Bardhekaltërit në 10 minutëshin e fundit të ndeshjes u këndellën krejtësisht për të shkelur vendasit dhe për të shënuar fitore komode në fund, 79-103.
Bashkimi nisi më mirë ndeshjen. Portokallezinjtë fituan çerekun e parë 21-18 dhe përfunduan pjesën e parë të ndeshjes në epërsi, 45-43.
Në ndërkohë, Prishtina mbeti pa trajnerin Damir Mulaomerovic, që u përjashtua nga ndeshja për shkak të dy gabimeve teknike.
Bashkimi nisi mirë edhe çerekun e tretë, por në fund bardhekaltërit dhanë sinjale të fitores, duke e përfunduar atë 17-21, e në çerek të fundit shënuan 39 pikë në kosh të vendasve, që çoi në fitoren e merituar në fund, 79-103.
Khalid Boukichou ishte më efikasi te Prishtina me 30 pikë të shënuara, 8 kërcime e 6 asistime, ndërsa Dardan Berisha shënoi 23 të tjera në fitore, shto këtu edhe 9 kërcime e 9 asistime.
Te Bashkimi Jordan Capps me double-double prej 26 pikëve dhe 10 kërcimeve ishte më efikasi, derisa 20 pikë të tjera shtoi edhe Steven Haney.
Pas kësaj fitoreje Prishtina ka bilanc 10-0 në Superligë, ndërsa Bashkimi 5-6.