LAMPLEY
Kosova para Malit të Zi
2 April, 2014 @16:30
Darrell Lampley para se të transferohej në Bashkim, kishte luajtur në ekipin Teodo Tivat nga Mali i Zi, me të cilin ka pasur edhe disa paraqitje në Balkan League në fillim të këtij stinori.
Ai në një intervistë me korrespondentin nga Mali i Zi i faqes eurobasket.com, ndër tjerash ka bërë edhe krahasimin ndërmjet basketbollit kosovar dhe malazias.
“Mali i Zi është një vend i bukur, por nuk mund të krahasohet me dashurinë dhe përkrahjen për basketboll këtu në Kosovë. Pasi luaj në Kosovë, nuk mund ta shoh veten duke luajtur në Mal të Zi pranë përkrahjes të pakët nga tifozët. Nga 150 shikues, të luash para 3000 shikuesve është diçka që çdo lojtarë i çdo sporti ka për dëshirë,” ka thënë Lampley.
Ndërsa në krahasimin e veçantë ndërmjet skuadrës së tij të tashme me ish skuadrën e tij, Lampley tha se ndryshe nga Teodo, te skuadra e Bashkimit po ka më shumë liri nga trajneri Edin Kërveshi, dhe kjo po e bënë atë të ndjehet më mirë.
Lampley këtë stinor në shtatë ndeshje për Bashkimin, ka realizuar mesatare prej 21.1 pikëve dhe 5.4 asistimeve duke u bërë njëri prej koshashënuesve më të dalluar në Superligë.
Amerikani shtatëshkurtër dje ishte pjesë skuadrës së të huajve në ndeshjen All Star Kosova, ku ishte realizatori më i mirë te të huajt me 25 pikë të shënuara, prej tyre pesë trepikësha.