FINAL 6
Kumanova e Levski, barazojnë!
2 April, 2014 @9:28
Njëri ndër kundërshtarët e mundshëm të Sigal Prishtinës në kuadër të Final Fourit të ligës ballkanike do të përcakohet nga dueli Kumanova-Levski.
E sa është serioz ky duel ka treguar edhe ndeshja e parë çerekfinale ndërmjet tyre që ka përfunduar me barazim! Po, po. Me barazim! Rezultati final i ndeshjes ka qenë 74-74 dhe gjithçka do të kuptohet në ndeshjen e dytë, të kthimit, që zhvillohet në Sofje të Bullgarisë një javë më vonë.
Kumanova ka qenë në disavantazh të madh gjatë ndeshjes, por ata kanë arritur që kah fundi të rikthehen në ndeshje për të barazuar në fund dhe për të çuar dilemën e pjesëmarrësit të tretë në Final Four - në ndeshjen e kthimit.
Serbi Vukasin Mandic ka qenë koshashënuesi më i mirë i kumanovarëve me 23 pikë, derisa edhe Ivan Miskovic nuk ka munguar me double-doublein e tij prej 16 pikëve dhe 11 kërcimeve në ndeshje.
Te ekipi bullgar, që përfundoi në vendin e tretë të stinorit të rregullt, pas Sigal Prishtinës koshashënues më i mirë ka qenë Hristo Zahariev me 14 pikë të shënuara, derisa pas tij kanë ardhur tre basketbollistë me nga 11 pikë të shënuara: Brandon Heath, Lionel Chalmers dhe Michael Vilkinson.
Në BIBL çerekfinalet apo Final 6 luhen në sistemin e një ndeshjeje si vendas dhe një si mysafir - ku në saje të koshave të përgjithshëm përcakohet fituesi, natyrisht nëse të dyja skuadrat kanë shënuar nga një fitore. E në këtë rast, fituesi i ndeshjes së ardhshme, Levski Sofia - Kumanovo - kalon në Final Four, ku i presin Galil Gilboa dhe Sigal Prishtina, derisa katërshja do të kompletohet me fituesin e duelit Teodo Tivat - Balkan Botevgrad.