VENDIMI I RI I BORDIT
BOROZANI/Arkiv/Edrin Shkuliqi
Kthehet Besa
21 September, 2014 @20:14
Në mledhjen e mbajtur sot të FBK-së i është dhënë e drejta KB Besës që të ketë të drejtë garimi në stinorin 2014/15, pasi që klubi pejan ka paguar me vonesë tetë ditëshe borxhin nga stinori i kaluar dhe depozitin për garim në Superligë - që kanë qenë obligimet kryesore financiare për licencim, shkruan në njoftimin e komunikuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës në faqen zyrtare të saj.
Gjithashtu, në këtë njoftim më tutje thuhet kështu: “Duke u nisur nga parimet e lartëcekura, rezultatet e KB Besës dhe KB Dritës të treguar në fushë sezonin e kaluar dhe interesin që sa më shumën klube të garojnë në nivel të lartë, Bordi i FBK-së ka marrë vendim që këtyre dy klubeve tu jepet afat shtesë për përmbushje të kritereve për licencim. Bordi i FBK-së i jep KB Dritës dhe KB Besës afat deri të martën, më 23.09.2014 në ora 16:00 të përmbushin të gjitha obligimet tjera financiare dhe teknike për licencim për sezonin 2014/15, duke përfshirë paraqitjen e ekipeve të gjeneratave të reja me përbërje të plota, pagesën për licencim të ekipeve të gjeneratave të reja dhe kriteret tjera që derivojnë nga Rregullorja për Sistematizim dhe Licencim të Klubeve dhe Shkollave të Basketbollit.”
Nëse klubet në fjalë do t’i përmbushin edhe këto kritere, atëherë Superliga e Kosovës do të kthehet në numrin e saj prej tetë ekipesh garuese, derisa shorti do të duhej të hidhet edhenjëherë.
Besa ka debutuar me sukses stinorin e shkuar në Superligë, derisa ka arritur edhe Final Fourin e Kupës së Kosovës, derisa Drita ka qenë disa hapa larg Play-Offit pas shumë vitesh.