RIFATI
Largohet, por paralajmëron kthim të fuqishëm
2 March, 2014 @14:48
Arbnor Rifati, nga sot më nuk do të punojë zejen e gjyqtarit të basketbollit. Prizrenasi ka marrë këtë vendim sot dhe ka njoftuar në llogarinë e tij personale në Facebook se më nuk do ta ushtrojë zanatin e tij.
Për më tepër ai ka dhënë dorëheqje edhe nga posti që e mban në Shoqatën e Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës, ku ka qenë sekretar.
Ai si arsye të marrjes së vendimit ka adresuar ndodhitë e fundit në adresën e tij duke mos cekur më shumë, derisa pas kontaktimit nga Borozani.com ai ka pranuar të deklarohet edhe zyrtarisht për lexuesit.
“Nuk do ta drejtojë gishtin tim drejt askujt, ngase i gjithë opinioni po e sheh se çka po ndodhë. I kam shkuar për qejf atyre që më kanë përgatit këtë dhe ju paralajmëroj që Arbnor Rifatin askush nuk do të mund ta largoj nga basketbolli, pos vetes sime. Unë do të jem gjithmonë në basketboll edhe pse nuk jam servil i asnjërit,” ka thënë Rifati 28 vjeçar.
Rifati ka nisur të ushtrojë zejen e referimit nga viti 2001, derisa që nga ajo kohë CV e tij ka qenë e mbushur me ndeshje ndër më të rëndësishme në Kosovë.
Rifati nuk kishte kaluar testin e referimit të cilën ua parashtroi FBK-ja muajin e kaluar duke rënë nga provimi dhe duke humbur të drejtën që të gjykojë në ndeshjet e organizuara nga FBK-ja.
“Dikur do të kthehem dhe atë fuqishëm, ngase nuk jam përshëndetur përgjithmonë. Askush nuk ka nevojë të më blejë orën, siç preferojnë ‘avancuesit e basketbollit tonë’”, ka shtuar ai në fund, duke paralajmëruar kthimin e tij në kohë të përshtatshme.