ANTE NAZOR

Lejuam pikë të lehta në fillim që u dha atyre ritëm
10 February, 2022 @11:31
Trajneri i Prishtinës, Ante Nazor, në deklaratën e tij të dhënë pas humbjes së Prishtinës në Final 8 të Kupës së Kosovës, ka thënë se fokusimi i plotë nga fillimi i ndeshjes ka qenë faktor në rezultatin përfundimtar të duelit, ndërsa edhe mundësia për rikthim në lojë nga ana e Prishtinës, nuk u shfrytëzua.
“Nuk ia nisëm mirë në fillim dhe luftën që e bëmë në fillim nuk qe e ashpër. Lejuam pikë të lehta për kundërshtarin. Kështu ata hynë në ritëm të mirë dhe morrën kontrollin e ndeshjes. Ne duhet të përmirësohemi në mbrojtje dhe në kërcime. Prapë se prapë ne kishim mundësi për rikthim në fund, por aty ne nuk shënuam pikë nga pozita të lehta, ndërsa Peja shënoi nga pozita tejet të vështira. Por, ky është sporti, nëse nuk je prej fillimit të ndeshjes plotësisht i fokusuar, kjo ndodh,” ka thënë trajneri kroat i Prishtinës pas humbjes nga Peja.
Kujtojmë, Prishtina është fituesja e fundit e Kupës së Kosovës në basketboll, pasi që e fitoi atë në vitin e kaluar me trajnerin Dragan Radovic në Final 8 të Suharekës.
Gjithsesi, Prishtina mbrëmë ka qenë e dërrmuar si ekip pas një sulmi ndaj autobusit të ekipit nga huliganët, që ndodhi rreth një orë para ndeshjes.
Me këtë humbje, Prishtina eliminohet nga Kupa e Kosovës, ndërsa Peja vazhdon në gjysmëfinale ku përballet me Trepçën.