PRISHTINA E RE - MARIGONA HILL PRISHTINA
MH Prishtina këndellet me fitore të thellë pas humbjes në xhiron e shkuar
26 November, 2020 @18:35
Skuadra e MH Prishtina ka arritur t’i kthehet fitoreve pas humbjes nga Drita në xhiron e kaluar.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Pllana, ka arritur të mposht Prishtinën e re sot në derbin lokal të Ligës së Parë të Kosovës, duke fituar përballjen me saktësisht 20 pikë dallim, 59-79 [20-25, 12-29, 14-12 dhe 13-13].
Shpat Mustafa dhe Edin Peci me nga 15 pikë të shënuara kanë qenë më efikasit te MarigonaHill Prishtina në fitore, ndërsa me 13 pikë ka kontribuuar Visar Ejupi.
Te ekipi i Albert Sylejmanit, që pësoi humbjen e pestë të stinorit dhe ka vetëm një fitore deri tash barën kryesore të lojës e mbajti Luftim Cikaqi, duke luajtur përgjatë 40-minutave pa pushim dhe duke u bërë lojtari i vetëm i ekipit që shënoi pikë dyshifrore.
Cikaqi kreu ndeshjen me 21 pikë e 8 kërcime dhe shtoi 1 asist në llogarinë e tij në këtë ndeshje.
Pas këtij dueli bilanci i MarigonaHill Prishtinës është 5-1, ndërsa i Prishtinës së re, e kundërta 1-5.