FINALJA

BOROZANI/Erdis Driza
Nata e titullit dhe e shpresës!
23 May, 2013 @8:35
I tërë qyteti i Pejës është bërë gati sonte për festë. Pas dy fitoreve me radhë të shënuara në serinë finale ndaj Sigal Prishtinës, një në Karagaç dhe tjetrën në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, skuadra e Pejës me fitoren e mundshme sonte do të mund të përfundojë serinë finale duke e bërë rezultatin 3-0 dhe të shpallet kampione e Kosovës në basketboll.
Motivi dhe koncentrimi
Basketbollistët pejan janë të motivuar, ndërsa kanë përkrahjen madhore nga tifozëria dhe i gjithë qyteti, ku sonte Karagaçi pritet të jetë i stërmbushur që dy orë para ndeshjes.
Dardan Berisha është njeriu kryesor i Pejës, ai ka qenë më meritori që Peja shënoi fitore në dy ndeshjet e para, posaçërisht të dytën, kur u bë i vetmi basketbollist në palestrën prishtinase që shënoi mbi 20 pikë në ndeshje.
Kujdesi dhe koncentrimi janë pikat kryesore pejane sonte, pasi që euforia do të mund t’i kthehej si bumerang.
Besimi dhe karakteri
Në anën tjetër, Sigal Prishtina, e kritikuar për paraqitjen e parë, do të kërkojë të dëshmojë që nuk është arrë e lehtë për t’u thyer dhe do të udhëtojë për një befasi të mundshme dhe prishje të festës së verdhë në Pejë.
Trajneri i tyre Ahmet Kandemir, në një intervistë me Borozani.com, kishte theksuar se djelmoshat e tij kanë kapacitet për fitore dhe atje nuk do të shkojnë të dorëzuar, pasi që Prishtina është ekip dhe ka karakter.
Festa apo shpresa?
Mirëpo, sa do të jenë në gjendje prishtinasit të përballojnë atmosferën në Karagaç, mbetet të shihet sonte pas hudhjes lartë të topit të parë në ndeshje nga gjyqtari Faton Kurshumliu.
Në rast të fitores së Pejës, stinori 2012/13 i basketbollit përfundon sonte, në të kundërtën vazhdon seria finale duke u bartur në Prishtinë.
PLAY-OFF FINALJA NDESHJA E TRETË E SERISË:
20:15 Karagaç, Pejë | Peja - Sigal Prishtina | (2-0) Rezultati në seri | Gjyqtarë: Faton Kurshumliu, Alban Vula dhe Xhelal Mumini |
SERIA FINALE:
1 | Ndeshja I | Peja - Sigal Prishtina | 71-43 | |
2 | Ndeshja II | Sigal Prishtina - Peja | 58-66 |