DRILON HAJRIZI
Ndeshja e dytë ishte natë e keqe
14 May, 2016 @21:45
Basketbollisti i skuadrës së Pejës, Drilon Hajrizi, e ka quajtur natë të keqe disfatën e pësuar në ndeshjen e dytë të serisë finale të Play Offit ndaj Sigal Prishtinës.
Në deklaratën e tij për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Hajrizi tha Peja e vërtetë do të jetë ajo në ndeshjen e nesërme përballë tifozëve vendas në Karagaçi.
“Ndeshja e dytë në Prishtinë ka qenë vetëm një natë e keqe për ne, sepse Peja e vërtetë nuk është ajo. Peja që janë mësuar ta shohin adhuruesit e basketbollit do të dal të dielën në parket dhe do të triumfoj.
Sigal Prishtina është skuadër cilësore dhe për këtë ne jemi të vetëdijshëm, por unë besoj se në këtë fazë finale të edicionit ne jemi më të mirë se kundërshtarët dhe për këtë arsye mendoj se së pari do të triumfojmë në Pejë dhe më pas edhe do ta fitojmë titullin e kampionit. Unë jam i bindur se me sukses do ta realizojmë këtë qëllim. Nuk jemi aspak në presion, sepse kemi ekip me përvojë, andaj e tëra që do të bëjmë është të luajmë lojën tonë të mençur dhe të dalim fitues nga Karagaçi,” tha Hajrizi.
Ndeshja ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës do të fillojë nga ora 19:30.