SONTE NË PRIZREN
Ndeshje vendimtare për Bashkimin
8 March, 2016 @8:43
Vetëm fitorja është zgjidhje për vazhdim të garave në ligën ballkanike. Ekipi prizrenas që po debuton këtë stinor në BIBL ka kaluar fazën e parë pa shumë probleme, ndërsa në fazën e dytë po përjeton kohë të vështira.
Bashkimi është i fundit në Grupin C të BIBL dhe ka bilanc 1-3 aktualisht, ndërsa duhet t’i fitojë edhe dy ndeshjet e mbetura për të shpresuar në gjysmëfinale të kësaj gare.
Në anën tjetër, Mornari nuk ka presion të madh si Bashkimi, por me fitore, do t’ia lehtësojnë vetes punën, në të kundërtën edhe ata duhet të luftojnë në xhiron e fundit për të mbetur në garë.
”Është e vërtetë se takimi me Mornarin është si finale dhe dihet rëndësia e fitores, po ashtu edhe domethënia e humbjes. Me fitore do të jemi një hap më afër gjysmëfinales, ndërsa me disfatë, ne do ta humbim rastin për TOP 4 të BIBL. Ndaj Mornar do të kemi qasje të njëjtë si ndaj Teodos. Do të thotë do të aplikojmë mbrojtje shumë të fortë dhe kundërsulme të shpejta, në mënyrë që të mos i lejojmë ata të vendosën në mbrojtje,” ka thënë Granit Rugova, basketbollist i Bashkimit para ndeshjes për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndeshja do të referohet nga treshja: Haris Bijedic, Zoran Mitrovski dhe Ventsislav Velikov.