FINAL FOUR

BOROZANI/ Dren Shporta
Ne dhe Bashkimi jemi më të fortit
13 February, 2016 @15:31
Sigal Prishtina dhe Bashkimi janë dy ekipet më të forta momentalisht në Kosovë.
Këtë përfundim e ka dhënë trajneri i Sigal Prishtinës, Antonis Constantinides, pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës, ku skuadra e tij u përballë pikërisht kundër Bashkimit.
Raporti i ndeshjes Bashkimi - Sigal Prishtina.
Constantinides në deklaratën e tij për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, me ose pa qëllim, nuk e ka futur fare skuadrën e Pejës në grupin e skuadrave më të forta në Kosovë.
“Unë dua ta përgëzoj Bashkimin për paraqitjen fantastike. Kjo skuadër ka karakter të fortë, sepse nuk është lehtë të vish këtu dhe të luash ashtu siç bënë basketbollistët e saj. Me të vërtetë kundërshtari ynë luajti mirë dhe na vështirësoi gjërat deri në fund. Unë mendoj se Bashkimi dhe ne jemi dy ekipet më të forta në Kosovë momentalisht, të paktën me lojën që ata e treguan ndaj nesh e meritojnë një epitet të tillë. Ne nuk luajtëm mirë, por në ndeshje të tilla është e rëndësishme të fitosh, pa marr parasysh se si e arrin një gjë të tillë, sepse nuk ka kthim prapa. Basketbollistët e mi u kthyen në lojë atëherë kur ishte më se e nevojshme dhe kjo tregon shumë për karakterin e tyre të sportistit. Unë jam i kënaqur me këtë dhe i përgëzoj për mundin që e bënë për ta kthyer rezultatin në favorin tonë dhe më pas edhe ta fitojmë gjithë ndeshjen”.
Prishtina në finale të Kupës do të luajë kundër Pejës, e cila është fituesja e fundit e kësaj kupe.