EUROPIANI U18 / DIVIZIONI C
Në Kosovë, nesër nis europiani
21 July, 2018 @15:19
Kosova për herë të parë në histori të saj ka fituar organizim të një gare të madhe basketbollistike nga FIBA.
Suksesi i FBK-së, pas fitores për të organizuar Kampionatin Europian U18 të Divizionit C, tashmë pritet të shihet në terren, kur ekipet do të nisin ndeshjet e para të tyre në EURO U18 DIV. C që nis nesër në Prishtinë.
Nëntë ekipe pjesëmarrëse të ndara në dy grupe do të garojnë për titullin e më të mirit në EURO U18 DIV. C, ndërsa fituesi përveç medaljeve dhe Kupës do të sigurojë ngritjen edhe në Divizionin B të U18.
Pjesëmarrësit në këtë europian janë të ndarë në dy grupe, A dhe B. Në Grupin A bëjnë pjesë: Molldavia, Armenia, Irlanda, Malta dhe Monakoja. Ndërsa në Grupin B: Qiproja, San Marinoja, Kosova dhe Gjibraltari.
Nga dy grupet, dy të parat kalojnë në gjysmëfinale të garës, ndërsa të tjerët zhvillojnë ndeshjet për të përcaktuar renditjen përfundimtare në kampionat.
Nesër, në ditën e parë të europianit, zhvillohen katër ndeshje. Në ora 12:00 luajnë Armenia-Monako, në 14:30 Malta-Irlanda, në 17:00 Qipro-Gjibraltari dhe në 19:30 San Marino-Kosova.