ALBAN VESELI
“Nesër luajmë për finale, e dua Prishtinën përballë”
29 April, 2016 @20:53
Finalistja e parë e Play-Offit mund të mësohet qysh nesër.
Peja, e cila është në epërsi 2-0 në serinë gjysmëfinale të Play-Offit, nesër do ta zhvillojë ndeshjen e tretë ndaj Trepçës dhe në rast të fitores, do ta sigurojë finalen.
I bindur në fitore, është shprehur edhe Alban Veseli, basketbollisti i verdhezinjëve, i cili foli ekskluzivisht për Borozani.com
“Jemi në epërsi 2-0 dhe mendoj se nesër do të gjindemi në finale dhe të presim se me cilën nga dy skuadrat tjera gjysmëfinaliste do të përballemi,” tha fillimisht Veseli.
Më pas, ai pranoi se me më shumë dëshirë do të luante në finale kundër ish skuadrës së tij, Sigal Prishtinës, duke pasur parasysh rivalitetin me Pejës dhe Prishtinës.
“Natyrisht dëshira ime është që të jetë Prishtina në finale, sepse dihet rivaliteti mes Pejës dhe Prishtinës, por Bashkimi po duket një skuadër shumë e fortë dhe mendoj që nuk mund të themi asgjë se cila do të jetë finaliste.”
Veseli në ndeshjet e Play-Offit ka mesatare prej 15.5 pikëve dhe 7.5 kërcimeve për ndeshje.
Ndeshja e nesërme ndërmjet Trepçës dhe Pejës do të fillojë nga ora 18:00 në palestrën Minatori në Mitrovicë.