PAS DY HUMBJEVE...
NewBasket i kthehet fitores
1 December, 2023 @19:29
Pas dy humbjeve me radhë në dy xhirot e fundit, NewBasket ka shënuar fitore sot ndaj Boreas në “Sezai Surroi” me rezultat 98-72. Ekipi prizrenas ka bërë dallimin në çerek të dytë 23-11 dhe të katërt 32-16 të ndeshjes për të siguruar fitoren e shtatë kampionale me 26 pikë dallim ndaj pejanëve.
Almamy Syla me 22 pikë ka qenë koshashënuesi më i mirë i ekipit, ndërsa 19 të tjera i ka dhënë Rilind Krasniqi. Trajneri Arben Elshani i dha hapësirë secilit lojtar sonte, ndërsa minimalisht një lojtar shijoi 4 minuta në ndeshje, derisa secili doli nga loja me së paku një pikë të shënuar.
Borea e R. Pupovcit bëri të njëjtën, trajneri u mundësoi minuta secilit basketbollist që kishte në dispozicion, ndërsa gjatë ndeshjes koshashënues më të mirë ishin Aldin Qallaku dhe Genc Matoshi me 14 të shënuara secili.
Me këtë fitore, NewBasket bën bilancin në Ligë të Parë 7-4, sa e ka tash edhe Borea. Prizrenasit për mometin janë në vend të tretë të renditjes tabelare, ndërsa pejanët në të katërtin.