KBF PRISHTINA - KBF PENZA

Nga disavantazhi prej -21 pikëve, Penza triumfon në derbi
1 December, 2021 @22:09
Kampionja aktuale e Ligës së Femrave, Penza, e mposhti Prishtinën me rezultat 74-80 në kuadër të xhiros së dytë në Ligën Unike.
Prishtina e nisi ndeshjen furrishëm. Vashat e trajnerit Fidan Shatri, gjatë ndeshjes krijuan një epërsi prej 21 pikëve, por skuadra pejane nuk u dorëzua.
Me performancën e Whitsitt dhe Long, Penza arriti të rrikthehet dhe ta regjistrojë fitoren e dytë në Ligën Unike.
Cheal-Rael Whitsitt shkëlqeu me 27 pikë e 23 kërcime, derisa u ndihmua edhe nga Mia Long me 21 pikë, 5 asistime e 5 kërcime.
Te Prishtina u veçuan Sarah Mgbeike me 29 pikë e 14 kërcime dhe Aisia Robertson me 19 pikë të tjera.
Penza në Ligën Unike ka bilanc prej 2 fitoreve në 2 ndeshjet e luajtura, derisa kjo ishte humbja e parë e Prishtinës, pas fitores kundër Tiranës.
Në xhiron e tretë Penza takohet me Partizanin, kurse Prishtina me Bashkimin.