FERONIKELI - TREPÇA 89'

Nikli mposhtë ‘89-shin, del nga barazhi
5 May, 2021 @17:08
Fitore shumë të rëndësishme ka shënuar skuadra e Feroniklit në ndeshjen e sotme ndaj Trepçës ‘89.
Takimi mes dy skuadrave që po luftojnë për t’i ikur barazhit në fund u mbyll 3-0 (Lapidar Lladrovci 64’, Marko Simonovski (P) 87’, Albert Dabiqaj 90+4’) për vendasit.
Pas pjesës së parë që u mbyll pa gola, Nikli golin e epërsisë e gjeti në minutën e 64’. Ishte qendërmbrojtësi Lapidar Lladrovci ai që shënoi për 1-0.
Rreth 23 minuta më vonë, fitoren e skuadrës nga Drenasi e vulosi Marko Simonovski, i cili nga pika e bardhë shënoi për 2-0. Krejt në fund, Nikli e gjeti edhe një herë rrjetën.
Për rezultatin përfundimtar 3-0 shënoi Albert Dabiqaj (90+4’), për ta kompletuar paraqitjen fantastike të Niklit me 3 gola të shënuara.
Për t’u përmendur nga ky takim është fakti që prej minutës së 73’ skuadra mitrovicase ishte me 10 lojtarë në fushë, pasi që Nene u përjashtua nga loja me karton të kuq.
Kjo fitore bën që Nikli të largohet nga zona e barazhit, të paktën përkohësisht, e aty tash bie Trepça ‘89, që ka dy pikë më pas se Drenica e Nikli.