ARIAN QALLAKU
Njeriu që befasoi Todorovin
10 February, 2017 @18:51
Ai kaloi tërë vjeshtën te Vëllaznimi i Gjakovës ku kishte statistika mahnitëse. 18.8 pikë për ndeshje si mesatare, double-double, rekord personal të stinorit prej 33 pikëve në duel ndaj Rahovecit janë vetëm disa për 25 vjeçarin.
Në mini-afatin kalimtar dimëror të lojtarëve ai prej Vëllaznimit u kthye në Pejë. E mbrëmë bëri një hap të madh.
Pejani 195 centimetra i gjatë, Arian Qallaku, ka pasur paraqitje shumë të mirë në duel ndaj Kumanovës mbrëmë në kuadër të BIBL, të cilën ekipi i tij i tashëm, Peja, e fitoi bindshëm 85-68.
Ai luftoi shumë mbrëmë. Luajti mbrojtje të mirë. Ndërsa sa herë i erdhi rasti për të bërë diçka për ekipin, e bëri. Shënoi kur u desht, kërceu, por edhe asistoi.
“Ai më ka befasuar. Më është dashur dikush që të ngrejë pak energjinë brenda skuadrës. Me qëllim e kam aktivizuar në ndeshje të rëndësishme për të parë se si do të reagojë në presion. Lehtë është ta aktivizosh në ndeshje ku fitorja është e sigurt, por në këto ndeshje me peshë shihet ajo që vlen,” ka thënë trajneri i Pejës, maqedoni Aleksandar Todorov, për Kohën Ditore.
Qallaku luajti 26 minuta ndaj Kumanovës deri dje të pamposhtur në Grupin D të BIBL, duke shënuar 6 pikë, 8 kërcime dhe 2 asistime në fitoren shpresëdhënëse për ekipin e tij.
Tash Qallakun e presin sfida tjera të rëndësishme, e ai duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, derisa Peja synon të shkojë larg në BIBL, sikurse edhe në Superligë e Kupë të Kosovës.