STREETBALL
Nord Gym kampion i Streetballit
Teksti: Streetball Kosova
26 June, 2016 @21:45
Nord Gym nga Bullgaria, shkruan historinë duke u shpallur kampion i edicionit të parë të turneut ndërkombëtar “Streetball Kosova International 2016”, dhe duke rrëmbyer kështu edhe çmimin e madh prej 4000 mijë euro.
Në finale Nord Gym mposhti skuadrën e Golden Eagle Albania, me rezultat të ngushtë, 13:11.
Kampioni i “Streetball Kosova International”, skuadra e Nord Gym po ashtu ka fituar edhe të drejtën për kualifikim për në garën Challenger në Lipik të Kroacisë.
Në edicionin e parë të “Streetball Kosova International 2016”, morrën pjesë 8 skuadra.
Nga 1 ekip prej Bullgarisë, Turqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe 4 nga Kosova.
Ndërkohë duhet theksuar se që nga edicioni tjetër “Streetball Kosova International ” synon të bëhet një nga qendrat e rëndësishme të Streetballit në Evropë.
GJYSMEFINALET
Pas garave nëpër grupe të zhvilluara të shtunën, të dielën koha ishte për duelet gjysmëfinale dhe përcaktimin e kampionit.
Në gjysmëfinale u përballën, Golden Eagle Albania – Air One dhe Nord Gym – Che Bar.
Në gjysmëfinale e parë, Golden Eagle Albania fitoi 21:10 kundër Air One.
Dhe kjo për meritë të Arian Qallakut, i cili tregoi formë fantastike duke shënuar 6 herë nga vija për dy pikë.
Pas kësaj, bullgarët e Nord Gym u përballën me Che Barin, kampionin e Kosovës para dy viteve.
Edhe Nord Gym fitoi me rezultat të thellë sikurse Golden Eagle Albania. 21:10 po ashtu përfundoi gjysmëfinalja e dytë, me ç’rast bullgarët e Nord Gym, siguruan bilentën për në finale.
FINALJA
Dheee, krejt në fund, koha për super finalen e “Streetball Kosova International 2016”.
Katërshja nga Bullgaria e Nord Gym, Ivan Tilev, Denail Hristov, Atanas Darkchiev dhe Lyuben Paskov përball 4shes mikse nga Shqiperia e Kosova të Golden Eagle Albania, Marsel Alaj, Arian Qallaku, Erjon Llazari e Urim Zenelaj.
Në fakt dueli Nord Gym – Golden Eagle Albania, edhe e kishte hapur edicionin e parë të “Streetball Kosova International 2016”. Në atë takim fitoi 21:19 skuadra nga Shqipëria, por vetëm pas vazhdimeve.
E në vazhdime për pak sa nuk shkoi edhe finalja.
Rezultati ishte i ngushtë në minutat e parë, me Nord Gym që u shkëputën në 9:4 dhe këtu u bë diferenca, pasi tutje, “Shqiponjat e Arta” ishin gjithnjë në ndjekje të rezultatit.
Ata madje ia dolën që ta barazojnë në 11:11 edhe 21 sekonda para fundit, ndërsa Zenelaj fitoj edhe dy gjuajtje të lira.
Ky i fundit gaboi në të dyjat, dhe në aksionin e radhës, Nord Gym fitoi 2 gjuajtje të lira për ndërhyrje të pa lejueshme dhe 2 të tjera pasi ishte faulli i 7-të i skuadrës Golden Eagle Albania.
Nga vija e penaleve, bullgarët qëlluan dy herë për 13:11, dhe ky doli të jetë epilogu final, pasi në ato pak sekonda, Golden Eagle Albania, nuk ia doli të qëlloj për barazim.