OFERTA PEJANE

BOROZANI/Erdis Driza
Odufuwa dhe Simovic, mund të kthehen në Pejë
15 September, 2014 @18:36
Dyshja që mbuloi trapezin e Pejës stinorin e shkuar, Teo Simovic dhe George Odufuwa, mund të jenë përsëri pjesë e ekipit nënkampion të Kosovës.
Kjo pasi që kreu i klubit, Art Gashi, ka konfirmuar se i kanë dërguar oferta dyshes në fjalë edhe për këtë stinor.
“Ne i kemi dërguar ofertën Simovicit dhe Odufuwas, e tash po e presim përgjigjen e tyre,” është cituar të ketë thënë Gashi për të përditshmen Sport Plus sot.
Pas përforcimit me disa lojtarë vendorë, ku ndër kryesorët është ardhja e Alban Veselit nga Prishtina në Pejë, verdhezinjtë nën drejtimin e ish trajnerit të Besës, Boris Kurtovic, po vazhdojnë përgatitjet për stinorin e ri të Superligës, derisa ata synojnë edhe sukses më të madh sesa në stinorin e kaluar në Balkan League.
Peja ende nuk ka zyrtarizuar asnjë basketbollist të huaj në skuadër.