QENDRA E BASHKIMIT

BOROZANI/Lis Dorambari
Operohet Hysenagolli!
16 February, 2015 @9:31
Ata që kanë përcjellur Bashkimin në javën që shkoi kanë mundur të vërejnë një mungesë të madhe në pozitën e qendrës te ekipi portokall e zi.
Endrit Hysenagolli, pësoi një lëndim të tetivës së këmbës së djathtë në ndeshje me Yllin (minuta e dytë e fillimit të ndeshjes), që solli deri te humbja e lojtarit kryesor të ekipit në ndeshjen çerekfinale të Kupës.
Duhet të operohet
Ai, as dje nuk ishte në ekip ndaj Vëllaznimit, derisa Bashkimi lëngonte në pozitën 5.
Hysenagolli 27 vjeç, pritet që të operohet në fundjavë, kanë bërë të ditur zyrtarë të klubit prizrenas, derisa pas operimit, pritet të kuptohet se sa do t’i duhet atij për rikthim në palestër.
“I dëshirojmë operim të suksesshëm dhe shërim të shpejtë Hysenagollit si klub. I urojmë kthim sa më të shpejtë në ekip!” ka bërë të ditur klubi prizrenas përmes Arlind Kaçanikut, menaxher.
Me mungesën e Hysenagollit, Bashkimi do të ketë si zëvendësim në këtë pozitë amerikanin Elijah Obade, e deri diku atij pritet t’i ndihmojnë edhe Kreshnik Juniku e Mujo Tuljkovic.
Kthim të shpejtë ‘Lali’
Hysenagolli është lojtari më i mirë i Bashkimit këtë stinor. Qendra 210 centimetërshe ka mesatare të lartë prej 14.6 pikëve dhe 8.4 kërcimeve për ndeshje.
‘Lali’, siç njihet Hysenagolli në Prizren, do të mungojë në ndeshjet e radhës për Bashkimin, derisa klubi pritet që të komunikojë kohëzgjatjen e mungesës së tij pas operimit.
Hysenagolli luan si lojtar vendor në Superligë, pas një vendimi të FBK-së. Ky është stinori i dytë për Hysenagollin te Bashkimi, prej se erdhi nga Peja.