FINAL 8 | FINALJA | TREPÇA - BASHKIMI

Pas një dekade, Drilon Hajrizi i sjell Trepçës Kupën e Kosovës
13 February, 2022 @20:12
Trepça ka fituar trofeun e parë të vitit 2022 duke e mposhtur Bashkimin në finale të Kupës së Kosovës 76-62, me trajnerin bullgar Lubomir Minchev që sjell gëzimin e madh në Mitrovicë pas një dekade, 76-62.
Në një përballje dramatike për 30-minuta lojë, Trepça ka arritur të nxjerrë jashtë loje qendrën e rrezikshme të Bashkimit, John Florveus, për të shkuar në fund të ndeshjes lehtë dhe për ta fituar Kupën e Kosovës, ndaj Bashkimit 76-62 [19-26, 18-10., 16-15, 23-11].
Ndeshja ishte e jashtëzakonshme, ndërsa pas startit të mirë të Trepçës, Bashkimi u rikthye për të mbyllë çerekun e parë me 19-26. Më pas, mitrovicasit përmbysën ata në çerek të dytë ,e 18-10 dhe më nuk shikuan prapa.
Çereku i tretë luftë e vërtetë me 16-15, ndërsa në çerekun e fundit me daljen e Florveus pas 5 gabimeve personale, Trepça marshoi pa telashe drejt triumfit për të marrë Kupën e parë të Kosovës pas një dekade pritjeje.
Drilon Hajrizi, njëjtë sikurse dhjetë vite më parë, lojtar i ndeshjes dhe me double-double prej 24 pikëve dhe 12 kërcimeve ishte më meritori për fitoren e minatorëve.
Pos tij, edhe Andrew Gordon por edhe Amin Hot (i natyralizuar si kosovar) kryen duelin me double-double. I pari dha 21 pikë e 10 kërcime, ndërsa i dyti 15 pikë e 10 kërcime.
Te prizrenasit, Julien Lewis me 16 pikë ishte më efikasi. Amerikani bëri edhe 9 kërcime në ndefshje, ndërsa nga 14 pikë shënuan Valon Bunjaku e John Florveus, ku mungesa e këtij të fundi vendosi ndeshjen!
Kjo është Kupa e katërt në histori të Trepçës dhe finalja e fituar e kësaj radhe ngjau fortë me atë të fituar një dekadë më parë, kur pikërisht në Karagaç mitrovicasit kishin mposhtur Bashkimin në finale për të fituar Kupën.