SHIMA SHPRESON NË FITORE, POR PEJA FAVORITE
Peja favorite
23 November, 2015 @19:46
Basketbollisti shqiptar, Gerti Shima, që këtë stinor kaloi nga Peja te Bashkimi, do të futet në përballjen e radhës ndaj ish ekipit të tij nesër mbrëma.
Shima, i ka dhënë epitetin e favoritit Pejës, për shkak të formës që po kalon.
“Peja po kalon momente të mira dhe hyn favorite në këtë ndeshje. Për më tepër, ata kanë përparësi edhe fushën. Besoj se do të nxjerrim një lojë të mirë dhe do të marrim fitoren e tretë në BIBL,” ka thënë Shima për faqen zyrtare të FBK-së sot, duke treguar se beson në fitore të Bashkimit përsëri.
“Gjithçka mbetet që të vendoset në fushë të lojës. Ne do të luftojmë për të rimarrë kreun e Grupit B. Besoj se Bashkimi ka forcë dhe lojtarë me përvojë që mund të bëjnë dallimin,” ka shtuar ai.
Peja pret nesër Bashkimin në Karagaç në ndeshjen që nis në ora 19e30. Peja është lidere e Grupit B të BIBL me bilanc 3-1, derisa Bashkimi i dyti me bilanc 2-2.