TELEBOYS
BOROZANI/ Edrin Shkuliqi
Peja lëndohet rëndë!
28 March, 2013 @22:24
Fitorja prej 77 pikëve të Pejës në xhiron e parë të BKT Superligës ndaj RTV 21-shit, i është shpaguar me humbje sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. Teleboysat shënuan fitore me rezultat të ngushtë 72-70, duke u ngjallur kështu shpresat për një vend në playoff.
Pejanët ishin ata të cilët e filluan mirë ndeshjen, ndërsa 21-shi pas serisë prej 9-1 e ktheu epërsin në të mirë të saj, ku edhe arriti ta mbajë deri në fund të takimit.
Mungesat e Dardan Berishës, Ersid Lucës dhe Blerim Mazrekut u vërrejtën shumë në lojën e Pejës, ndërsa skuadrën u munduan që ta mbajnë në këmbë Alban Veseli me 27 pikë, ku 10 prej tyre i shënoi në çerekun e fundit, derisa nga 15 pikë shënuan edhe Gerti Shima dhe Samir Shaptahu.
Në anën tjetër, te teleboysat me 28 pikë i pandalshëm ishte amerikani Kendrick Jones. Urim Zenelaj realizoi double-double me 13 pikë dhe 12 kërcime, kurse plejmekeri Roberson kontriboi me 15 pikë.
Peja e kishte rastin që ta barazojë rezultatin në sekondat e fundit të ndeshjes, kur Shaptahu asistoi te Awere i cili ishte në pozitë të volitshëm në afërsi të koshit, por në tentimin e qendrës amerikane topi doli jashtë harkut dhe kështu fitores i’u gëzua skuadra vendase.
Kjo ishte humbja e dytë e Pejës në këtë edicion, ndërsa 21-shi me këtë fitore tani është edhe më afër kualifikimit në fazën finale të BKT Superligës.
Shiko tabelën aktuale dhe xhiron e radhës në BKT Superligë
TOP SHËNUESIT E NDESHJES
1 | Kendrick Jones (RTV 21) | 28 pikë | 5 kërcime | 2 asistime |
2 | Alban Veseli (Peja) | 27 pikë | 2 kërcime | 1 asistim |
3 | Gerti Shima (Peja) | 15 pikë | 6 kërcime | 2 asistime |
4 | Brandon Roberson (RTV 21) | 15 pikë | 5 asistime | |
5 | Samir Shaptahu (Peja) | 15 pikë | 2 asistime | |
6 | Urim Zenelaj | 13 pikë | 12 kërcime | |
7 | Ersan Ozseven | 9 pikë | 4 kërcime | 3 asistime |