PEJA ARRIN FITOREN E DHJETË!
Peja mposht Bashkimin, trajneri Jonchevski mbetet pa fitore
23 December, 2023 @21:22
Peja ka mposhtur Bashkimin në duelin e dytë të xhiros së katërmbëdhjetë të Superligës, duke shënuar fitore në “Sezai Surroi” me gjashtë pikë dallim, 88-94.
Peja bëri dallim të vogël në çerek të dytë (20-26) në rezultat, që ka dalë të jetë vendimtar për rezultatin përfundimtar, pasi që në vazhdim përkundër luftës së madhe, prizrenasit nuk kanë arritur të përmbysin epërsinë e tyre për të fituar ndeshjen.
Kjo ka qenë humbja e katërt me radhë për Bashkimin, ndërsa trajneri i ri i ekipit Aleksandar Jonchevski mbetet pa fitore në ekipin e tij prej se erdhi aty.
Jay Jay Chandler me 25 pikë, 11 kërcime e 9 asistime ka qenë më i miri në ndeshje, ndërsa me 20 pikë e 9 kërcime Urald King ka qenë dominant nën kosh. Larry Thomas dha 17 pikë dhe bëri 9 asistime në fitore.
Me këtë fitore Peja bën bilancin 10-4, duke arritur kështu dyshifror të fitoreve e para pas Trepçës në Superligë. Bashkimi mbetet në 4 fitore, ndërsa pas Istogut bëhet ekipi i dytë që arrin minimalisht 10 humbje.
Te prizrenasit, mundi i Erik Copesit me 19 pikë e 5 kërcime, nuk ka mjaftuar, pasi që tjerët nuk kanë arrritur të bëjnë më shumë në ndeshje.