FITORE RUTINORE E PEJËS
Peja mposht Pljevljen dhe bashkëkryeson me AEL-in!
18 March, 2024 @23:15
Peja ka shënuar fitore të pritur ndaj Pljevljes malazeze sonte në “Karagaç”, ndërsa Rami Hadar i ka dhënë mundësi të gjithë lojtarëve që s’fitojnë minuta shumë zakonisht, për të marë përvojë në përballjen e Ligës Ballkanike.
Verdhezinjtë kanë mposhtur kundërshtarin me rezultat 105-75, ndërsa gjithçka siguruan që në çerek të parë kur dhanë 40 pikë karshi 11 të praanuarave. Pljevlja nuk ka asnjë fitore dhe ka mbyllur stinorin në BIBL me bilanc 0-8!
Përndryshe, me 26 pikë të shënuara Meriton Ismaili ka qenë më efikasi në fitore te Peja, ndërsa 21 pikë të tjera i dha Justin Davis. Ky i fundit mbylli ndeshjen me double-double pasi bëri edhe 14 kërcime në fitoren e thellë të ekipit të tij.
Te Peja minuta fituan edhe Albin Berisha (10min), Dion Sheqiri (8min) dhe Andi Ahmeti (7min). Kjo fitore, tash Pejën e barazon me bilanc me liderin AEL nga Limasoli, pasi që të dyja skuadrat një ndeshje para fundit të stinorit të rregullt kanë bilanc 5-2.
TABELA AKTUALE E BIBL:
1. AEL 5-2
2. Peja 5-2
3. Lovcen 4-4
4. Prishtina 4-2
5. Pljevlja 0-8.
Ndeshjet e mbetura;
Prishtina-Peja
AEL-Prishtina (25 mars).
*Në këtë stinor të BIBL kanë marrë pjesë vetëm pesë skuadra, ndërsa katër të parat sigurojnë Final Fourin e garës. Se ku do të luhet Final Fouri nuk është përcaktuar ende, sikurse edhe çiftet. Peja dhe Prishtina veçse kanë siguruar Final Fourin.