Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KAMPIONI SHFAQ SHENJA JETE

Peja s’dorëzohet, mposht Yllin dhe vazhdon serinë gjysmëfinale

Peja s’dorëzohet, mposht Yllin dhe vazhdon serinë gjysmëfinale


27 April, 2024 @21:05

Kampioni nuk dorëzohet! Peja është treguar e fortë sonte, ndërsa i ka shkaktuar Yllit disfatën e parë në playoff, për të vazhduar serinë gjysmëfinale dhe për të bërë rezultatin Peja 1-2 Ylli në seri, ashtu që të bartet seria në “13 qershori”.

Verdhezinjtë luajtën si vendas sonte në “Shani Nushi” pa shikues, pasi që ishin të dënuar nga KG kurse “Karagaçi” ishte i zënë me sporte tjera, ndërsa fitoren thuajse e siguruan në fund të çerekut të tretë, kur thelluan dallimin në rezultat, për të fituar ndeshjen në fund, 98-86.

Larry Thomas ka pasur paraqitje shumë të mirë te Peja, ku pos 4 topave të rrëmbyer nga kundërshtari ai luajti me 27 pikë, 9 asistime dhe 4 kërcime, duke shutuar 3/6 për tre pikë.

Me 17 pikë te Peja luajti Justin Davis, ndërsa me 14 lojën e përfunduan Jetmir Zeqiri dhe Kwame Vaughn.

PLAYOFF SKEMA

Peja kishte epërsi 8 pikëshe ndaj Yllit në fund të pjesës së parë, 52-44, ndërsa e thelloi këtë në çerek të tretë (26-19) për të çuar rehat atë të fundit (20-23).

Te Ylli, Alonzo Verge Jr. shënoi përsëri më së shumti pikë në ndeshje, 32. Mirëpo, edhe me kaq të tija, ekipi u ndalë. Verge bëri edhe 8 asistime e 3 kërcime. Me 19 pikë lojën e përfundoi Jan Palokaj, kurse lojtarët tjerë nuk arritën të shënojnë pikë dyshifrore. Palokaj dha 5 nga 14 tentime për tre pikë, ndërsa Gëzim Morina që e kreu lojën me 5 pikë, shutoi 1/8 për tre pikë.

Ylli deri sonte nuk ka humbur asnjë ndeshje në playoff, pasi që kaloi çerekfinalen ndaj Bashkimit shpejt-e-shpejtë 2-0, njëjtë sikurse nisi serinë ndaj Pejës në gjysmëfinale dhe u mundua të përfundonte sonte. Por, kampioni në fuqi i Kosovës kishte plane tjera. Seria po vazhdon. Pos kësaj, nëse llogariten edhe 7 ndeshjet e fundit pa humbje në ciklin e fundit të stinorit të rregullt në Superligë, Ylli është ndalur pas 11 ndeshjesh pa humbje!

Fitorja për Pejën e drejtuar nga Rami Hadar bën që ekipi të ngjallet në momentin e duhur dhe të kërkojë shpresën tash për barazim të serisë në Suharekë pas 4 ditësh, ashtu që të shpresojë të dërgojë gjysmëfinalen në ndeshjen e pestë. Ylli me një fitore siguron finalen dhe eliminon kampionin. Por, a do të arrijnë këtë nxënësit e Petar Mijovicit, mbetet të shihet në “13 qershori” në mesjavën që vjen.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga