VENDIMI

BOROZANI/Lis Dorambari
Peja zyrtarisht në Ligë të Parë!
21 May, 2015 @17:37
KB Peja është përjashtuar nga Superliga e Kosovës, ka bërë të ditur FBK-ja sot, përmes Vendimit të Komisionit Disciplinor të saj.
Përveç përjashtimit nga Superliga, Pejës i është shqiptuar edhe gjoba në të holla prej 3 mijë eurove si dhe zyrtarit të Pejës, Gazmend Pupovci, i është shqiptuar dënimi prej 1 vjet mosushtrimi të detyrës.
Si arsyetim KD ka përmendur Propozimin e Komesarit të Garave, Raportin e Policisë së Kosovës, konstatimin e Vëzhguesit, deklaratën e gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Ivan Milicevic, raportin e kryetarit të KB Peja, Art Gashi, deklaratën e kryetarit të FBK-së, Erolld Belegu dhe deklaratën e gjyqtarit të ndeshjes, Faton Kurshumliu.
Vendimi në fjalë ka ardhë pas propozimit të Komesarit të Garave, Bajrush Ademi, në ndeshjen e ndërprerë të serisë finale të Superligës.
Komisioni Disciplinor në përbërje Fidan Hamiti, Nuredin Ibishi dhe Lulzim Fushtica dje kishte shtyer marrjen e Vendimit për sot, për shkak të fakteve të pamjaftueshme.
Peja këtë stinor ka fituar Kupën e Kosovës dhe ka arritur për herë të parë në histori të klubit në gjysmëfinalen e Balkan League.
Peja ka të drejtë ankese në këtë Vendim të FBK-së pranë Komisionit Arbitrar në afat prej tre ditësh, duke nisur nga sot.
Komisioni Arbitrar i FBK-së përbëhet nga: Halit Muharremi (kryetar), Asdren Hoxha (anëtar) dhe Artan Qerkini (anëtar).