FINAL SERIES, GAME 3
Penza-Bashkimi, dueli i tretë i finales
2 May, 2018 @11:31
Vashat e Bashkimit janë shumë afër për të sjellë titullin e kampionit në Prizren. Ekipi i femrave të Bashkimit pas përforcimeve të bëra në janar të këtij viti nuk ka shijuar fare humbjen në Ligë të Femrave dhe me të njejtin ritëm po vazhdon edhe në Play-Off, ku tashmë po udhëheq 2-0 serinë e finales ndaj Penzës.
Penza, do të mundohet t’i ndalë vajzat e ekipit prizrenas nesër pasdite në Karagaç, në ndeshjen që nis në ora 17:30, ndërsa seria finale luhet deri në tre fitore.
FBK ka përcaktuar këta zyrtarë për ndeshjen e tretë të serisë: Ngadhnjim Shabani (gj. kryesor), me ndihmës Elldin Uglarin dhe Amar Djekovicin, ndërsa vëzhgues është Mehdi Gashi.
Në rast të fitores së Penzës, seria do të vazhdojë, kurse në rast se Bashkimi shënon edhe fitoren e radhës, atëherë vajzat e drejtuara nga trajneri Illmen Bajra do të shpallen kampione të Kosovës për stinorin 2017/18 në Ligën e Femrave.
Penza është kampione aktuale e Kosovës, ndërsa Bashkimi nuk e ka fituar titullin kampion që nga viti 2010, stinori 2009/10.