LIGA E FEMRAVE
Penza mposht Prishtinën në derbi
Teksti: FBK
10 April, 2016 @20:51
Penza ia ka shkaktuar humbjen e dytë në këtë edicion Prishtinës dhe së fundi këtë e ka bërë në kuadër të xhiros së XXI të Ligës së Femrave në ndeshjen e luajtur të shtunën mbrëma në “Karagaçi” të Pejës. Takimi ka përfunduar me rezultat 68:51.
Vashat prishtinase ishin rivale të barabarta me pejanet deri në fillim të çerekut të katërt, por më pas në skenë doli ish-lojtarja e Prishtinës, Irma Konjusha, e cila e mori përgjegjësinë mbi vete dhe e udhëhoqi Penzën sigurt deri te fitorja, falë edhe ndihmës së Vlora Idrizajt, e cila në çastet vendimtare gjithashtu “shpërtheu” me gjuajtjet për tri pikë. Në anën tjetër te skuadra bardhekaltër me lojë të mirë në këtë ndeshje është shquar, si zakonisht, Arbnore Perquku, si dhe Gentiana Ismaili, Erika Nuhiu e Ermelinda Shatri. Megjithatë edhe kësaj here loja e tyre e mirë nuk mjaftoi për të mposhtur Penzën, i cili ekip në këtë edicion i ka mposhtur edhe një herë në finalen e Ipko Kupës së Kosovës, duke e kthyer kështu këtë trofe në Pejë.
Njëherësh kjo ishte xhiroja e fundit e edicionit të rregullt në Ligën e Femrave. Penza është lidere e renditjes tabelare me 40 pikë, ku nga 20 takime ka po aq fitore të realizuara, derisa Prishtina është e dyta me 38 pikë, me 2 humbje të regjistruara dhe të dyja nga pejanet.
Penza në gjysmëfinale të “play-off”-it do të përballet me Bashkimin, kurse Prishtina do të takohet me Trepçën. Garat shtesë në konkurrencën e femrave do të startojnë javën e ardhshme.