KOSOVA
Përfaqësuet e reja të Kosovës vazhdojnë me grumbullime
Teksti: FBK
11 June, 2021 @15:07
Grupmoshat e reja të Kosovës do të vazhdojnë me grumbullime para ndeshjeve ndërkombëtare, që i kanë gjatë verës.
Të shtunën (nesër) Kosova U20 në konkurrencën e meshkujve do të ketë stërvitje nga ora 11:30 deri në ora 13:00, kurse nga ora 13:00 deri më 14:30 do të stërviten meshkujt U18. Nga ora 14:30 deri në ora 16:00 do të stërviten Kosova U20 në konkurrencën e femrave.
Ditë më parë Përfaqësueset e Reja të Kosovës i kanë mësuar emrat e kundërshtarëve në FIBA Youth European Challengers 2021.
Këtë vit FIBA ka vendosur që të vazhdojë me organizimin e garave për U16, U18, U20 në të dyja konkurrencat, por në një format tjetër për shkak të Covid-19 dhe kufizimeve të udhëtimeve në disa shtete. Kësaj radhe FIBA Kampionatet Evropiane nuk janë ndarë në Divizione, por në Grupe, dhe këto grupe do të organizohen në disa shtete.
Kosova U20 (F) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U20 Women’s European Challengers, që do të organizohet në Shkup prej 13 deri më 18 Korrik 2021. Kosova do të luajë në grup me Rumaninë, Sllovakinë, Luksemburgun dhe Maqedoninë e Veriut.
Kosova U20 (M) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U20 European Challengers që do të mbahet prej 20 deri më 25 Korrik 2021 në Sopron të Hungarisë. Në këtë qytet do të luhet edhe Grupi D me këto shtete pjesëmarrëse: Maqedonia e Veriut, Zvicra, Rumania e Luksemburgu. Kosova është në grup me Bjellorusinë, Hungarinë e Sllovakinë.
Kosova U18 (M) do të marrë pjesë në Grupin F të FIBA U18 European Challengers që do të mbahet prej 3 deri më 8 Gusht 2021 në Tiranë. Kosova është në grup me Shqipërinë dhe Moldavinë.
Duhet theksuar se FIBA U16 European Challengers, Grupi E do të organizohet në Prishtinë prej 16 deri më 21 Gusht 2021. Në këtë grup Kosova garon me Luksemburgun, Shqipërinë, Gjibraltarin, Moldavinë dhe Maltën.
Në FIBA U16 European Challengers garojnë gjithsej 31 shtete.