BASHKIMI
Përforcime të mëdha vendore!
20 January, 2014 @22:39
Skuadra e Bashkimit që përfundoi në pozitën e katërt stinorin vjeshtor të Superligës, është në pritje të përkrahjes nga Komuna për të realizuar përforcimet e saja senzacionale vendore. Sidoqoftë ata kanë nisur sonte stërvitjet me ekipin ekzistues, me vendorët dhe me amerikanin Darrell Lampley që po qëndron në Prizren.
“Besojmë se pas mbështetjes dhënë Lirisë në futboll, një copë e tortës do t’i takojë edhe Bashkimit ashtu që të realizojmë disa marrëveshje senzacionale të arritura në parim,” ka thënë menaxheri i klubit të portokalltë nga Prizreni, Arlind Kaçaniku për Borozani.com.
Bashkimi ka pasur paraqitje tejet të mira në edicionin vjeshtor, duke e përfunduar stinorin në pozitën e katërt me pikë të njejta sikur Trepça që e përfundoi në pozitën e tretë.
Gjithashtu, Bashkimi është ekipi i vetëm nga Prizreni në sportet kolektive të popullarizuara që garon në Superligë.
Sipas të gjitha gjasave nëse fitohet mbështetja e Komunës, pritet që përforcimi i parë të jetë shqiptari që vjeshtën e përmbylli në Pejë, Endrit Hysenagolli, derisa për dy përforcimet tjera të mëdha vendore, drejtuesit e klubit të portokalltë nuk kanë dhënë as sinjal se kush mund të jenë ata.