FINAL 6
Përfundimtarja e Kupës fillon sot
28 March, 2014 @9:24
Skuadra e Trepçës do të mundohet sonte që të arrijë gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës duke dalë përballë Besës së Pejës.
Ndeshja që fillon pasdite në Gjakovë do të përcaktojë ekipin që do të shkojë në Final Four - që luhet nesër.
Trepça e udhëhequr nga Israel Martin do të ketë përballë djelmoshat e rinj të Fabian Gjukës, të cilët për momentin kanë vetëm një të huaj në ekip, derisa ndeshjet përballë tyre gjatë stinorit kanë përfunduar me fitore të çdonjërës në vend të vetë, pra 1-1.
Derisa Martin pritet të ketë në dispozicion edhe bashkëkombasin e tij Alvaro Calvo sot, i cili përkundër se kishte thënë do të largohet, nuk e ka bërë një gjë të till - Besa do të jetë me të huajin e vetëm deri në tani Nakiea Miller.
Në letër, Trepça është favorite, mirëpo ndeshjeve të Kupës - të cilat me një përballje zgjedhin fituesin dhe atë që kalon nga Final 6 në Final Four - dinë të sjellin befasi të mëdha. E Besa duket të jetë e gatshme për këtë.
Për të kujtuar, Trepça pat fituar trofeun e Kupës së Kosovës dy stinorë më heret në Final Fourtin e Pejës kur pat mposhtur Bashkimin në finale, me paraqitje të mirë të lojtarëve të atëhershëm të saj Drilon Hajrizi dhe Jaleel Nelson - që patën shkëlqyer në finale.
Të dyja skuadrat nuk kanë raportuar për ndonjë lëndim dhe pritet të kenë në dispozicion të gjithë basketbollistët, derisa Gjuka i cili morri detyrën e trajnerit të pejanëve nga Boris Kurtovic do të tentojë të fusë Besën për herë të parë në Final Four. Besa gjithashtu ka emëruar Onur Deçanin si kryetar të klubit pas dorëheqjes së Arbër Elshanit nga ky post pasi që u suspendua nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
FINAL 6, Sonte:
16:00 Shani Nushi, Gjakovë | Trepça - Besa | ||
18:00 Shani Nushi, Gjakovë | Bashkimi - Drita |