FERONIKELI - TREPÇA
TOPSPORTI / Arian Paçarizi
Plantak ia rikujton fitoren Trepçës, fitojnë pas 6 humbjeve
15 December, 2019 @21:05
Aventura e dytë e trajnerit kampion Neven Plantak te Trepça, filloi me fitore.
Trepça në krye me trajnerin kroat, e mposhti Feronikelin me rezultat 61-84.
Me njeriun që e kishte shpallur kampion në vitin 2002 Trepçën, që në ndeshjen e parë të tij u vërejt ndryshimi në skuadër.
Skuadra mitrovicase, nga minuta e parë e deri në fund nuk e lëshoi epërsinë ndaj Feronikelit, derisa dallimi më i madh në ndeshje u bë në çerekun e tretë, ku Trepça me mbrojtje të fortë pësoi vetëm 9 pikë.
DJ Hanes ishte më i miri me 32 pikë, 8 kërcime, 4 asistime e 3 topa të rrëmbyer, derisa mori ndihmë edhe nga Besnik Azemi e Malik Irwin që të dy lojtarë luajtën me nga 12 pikë e 11 kërcime secili.
Te Feronikeli u dalluan Sami Hajzeri me 14 pikë dhe Kareem Storey me 13 pikë të tjera.
Trepça sonte e regjistroi fitoren e tretë të stinorit krahas 12 humbjeve që i kanë, derisa Feronikeli ka bilanc prej 4 fitoreve e 11 humbjeve.
Në xhiron tjetër Trepça takohet me Lipjanin, kurse Feronikeli me Bashkimin.