Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GRAPELAND FUQISHËM!

PlayOut: Grapeland bindshëm ndaj Dritës, me një hap në Ligë të Parë

Foto: Grapeland/ fb

PlayOut: Grapeland bindshëm ndaj Dritës, me një hap në Ligë të Parë


7 April, 2024 @2:57

Ka përfunduar ndeshja e parë e playoutit të Ligës së Parë dhe ekipi rahovecian që u themelua verën e kaluar, Grapeland është shumë afër që të sigurojë Ligën e Parë nga Liga e Dytë për herë të parë në histori!

Grapeland ka mposhtur në ndeshjen e parë të playoutit ekipin e Dritës, që përfundoi stinorin kah fundi i renditjes në Ligë të Parë të Kosovës me 38 pikë dallim, 104-66. Fitorja e thellë, bën që në ndeshjen e kthimit në “Bashkim Selishta - Petriti” të Gjilanit, Drita të ketë punë shumë të vështirë për të përmbysur këtë rezultat, pasi që luhen dy ndeshje dhe ekipi me koshdallim më të mirë siguron stinorin 2024/25 në Ligë të Parë.

E sa i përket lojtarëve, Hadis Dërguti ka qenë më i dalluari te Grapeland me 30 pikë të shënuara, ndërsa me 19 pikë ka luajtur Visar Ejupi që ka bërë edhe 8 asistime e 4 kërcime në këtë fitore shumë shpresëdhënëse për rahovecianët.

Me 13 pikë te ekipi fitues luajti Donat Oruqi, ndërsa 10 të tjera i dha Albion Imeri.

Drita, dikur pjesë e Superligës dhe tash me vite nuk arriti të këndellet në Ligë të Parë - rrezikon për herë të parë rënien në kategorinë e fundit të basketbollit të Kosovës, Liga e Dytë. Te gjilanasit Labinot Ibrahimi me 27 e Diellor Maksuti me 13 pikë nuk mjaftuan për të zbutur më shumë këtë humbje!

Ndeshja e kthimit në Gjilan, luhet pas 3 ditësh dhe aty përfundimisht do të kuptohet anëtari i radhës i Ligës së Parë për edicionin 2024/25 si dhe humbësi do të jetë anëtar i Ligës së Dytë për edicionin 2024-25.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Liga e Parë