BARAZIM!
Portieri shpëton 2 Korrikun, Dinamoja përsëri s’arrin fitoren!
Teksti: 2korriku.com
29 September, 2024 @23:11
2 Korriku ka vazhduar si i pamposhtur për xhiron e tretë me radhë në Raiffeisen Ligën e Parë të futbollit në Kosovë, pasi edhe në Ferizaj ka arritur që të fitoj pikë, kësaj radhe me rezistencë të madhe, duke i bërë ballë një prej pretendentëve si Dinamo, që ndonëse kaloi herët në epërsi me golin e Ramadanit (6′) nuk arriti që të triumfojë në shtëpi.
Nga një gol i shënuar për çdo pjesëlojë ka bërë që takimi të mbyllet me rezultatin 1-1, dhe t’i japë 2 Korrikut një pikë shumë të çmuar e Dinamon ta lë të pakënaqur me vetëm një pikë.
Në fakt, verdhekaltërit sot dolën me pikë nga udhëtimi për shkak të performancës për notën dhjetë të portierit Arnis Ajeti – futbollistit kryesor të skuadrës deri më tani në këtë edicion. Disa pritje spektakolare, penalltia e pritur kundër Klinakut në minutën 74′ dhe siguria e shfaqur gjatë tërë takimit ka bërë që Ajeti ta marrë me plot meritë epitetin si më i miri i ndeshjes. Pa “duartrokitje” nuk mbeti as super-goli i shënuar nga Kozmaqi dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, që në fund doli të jetë bukur shumë i vlefshëm.
Vendësit u treguan më të mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes, por as mysafirët nuk qëndruan “duarkryq”, duke rrezikuar disa herë me kundër-zbritje – këtu përmendim rastin e minutës 87’, kur Bejta u shërbye në hapësirë dhe në vrapim e sipër u pengua nga portieri Rexhepi shumë pak centimetra afër zonës së rrezikshme, por një ndërhyrje e tillë kaloi pa sinjalizim për ndërhyrje të palejuar nga gjyqtari ferizajas Vata, që thënë të drejtën sot nuk ishte në ditën e tij më të mirë, duke pasur shumë raste diskutabile e duke marrë vendime kontradiktore.
Rrezik për portën mysafire pati shumë më shumë se sa për atë vendase, ndonëse mysafirët shënuan edhe një gol, por që u anulua për pozitë jashtë loje në minutën 43’, kur mbrojtësi Andi Namoni shënoi me kokë.
Me pikën e fituar sot, 2 Korriku ka arritur që brenda tetë ditësh të fitoj plot shtatë pikë – thënë ndryshe shtatë herë më shumë se në katër ndeshjet e para të kampionatit.
Ndeshja e radhës për ekipin kryeqytetas është ajo ndaj Vushtrrisë në udhëtim, e cila zhvillohet më 6 Tetor në “Ferki Aliu” dhe pas së cilës shkohet në pushimin disa-ditorë të kombëtareve.
—- MATCH DATA—-
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Shtatë
FC Dinamo v. FC 2 Korriku 1-1
Golashënues: Ramush Ramadani 6’; Albinot Kozmaqi 47’
Gjyqtarët e ndeshjes: Qëndrim Vata (Ferizaj), Fisnik Rama (Mitrovicë), Krenar Gaxholli (Prizren), Pren Kabashi (Pejë)
Delegat i ndeshjes: Xhabir Hajrullaaga (Rahovec)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Mirsad Qehaja (Prizren)
Formacioni startues i Dinamos: Leutrim Rexhepi, Bleon Axhami, Elbasan Thaqi, Ardian Shaljani, Besmir Fetahu, Kenan Orana, Almedin Klinaku, Daniel Tette, Ramush Ramadani, Genc Berisha, Alban Çejku. Kryetrajner: Burim Qerkini.
U inkuadruan edhe: Ardian Selimi 46’, Eltion Misini 84’
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Andi Namoni, Nderim Abdullahu, Albin Stublla, Rron Statovci, Andi Oruqi (C), Albinot Kozmaqi, Gneilpekan Marius Camara, Redon Bejta, Ardit Gashi, Arlind Maqedonci. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Ideal Abdullahu 46’, Granit Latifi 70’, Pedro Henrique 89’