TREPÇA - PRISHTINA
Prishtina e dobësuar, mbijeton Minatorin
17 March, 2019 @18:44
Skuadra e Prishtinës që sot u paraqit në përballjen derbi të ditës ndaj Trepçës pa trajnerin Damir Mulaomerovic, pa Khalid Boukichoun, pa Dardan Berishën dhe pa Edmond Azemin ka arritur të shënojë fitore në fund të ndeshjes ndaj mitrovicasve.
Trepça është treguar arrë e fortë në Minatori sot, derisa ka mbyllur pjesën e parë në epërsi, 38-34. Këtë epërsi Trepça e ka çuar deri në minutat e fundit të takimit, kur me luftë të madhe për çdo top basketbollistët mysafirë kanë arritur të dalin në epërsi dhe duke shfrytëzuar edhe gabimet e vendasve në sulm, kanë shënuar fitore në fund, 83-88.
Më meritori në këtë fitore të Prishtinës ka qenë reprezentuesi Mikaile Tmusic, që s’ka pushuar fare në këtë ndeshje, duke luajtur 40 minuta, shënuar 29 pikë (8/12 për tre pikë), 5 kërcime e 2 asistime. Divine Myles ka shënuar 28 pikë tjera, ndërsa Rodney Bullock 11.
Te Trepça, Samir Zekiqi ka shënuar 26 pikë e 8 kërcime, ndërsa Imer Tahiri ka shtuar 15 pikë e Aaron Anderson 12 të tjera bashkë me 7 asistime.
Fitorja, vazhdon ta mbajë Prishtinën e pamposhtur këtë stinor në të gjitha garat vendore, derisa Trepçës i vështirësohet opcioni për të kryer stinorin në TOP 4.