Fantasy TopSporti
Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

REKORD-KAMPIONJA RIKTHEN TRAJNERIN

Prishtina rikthen trajnerin Ekrem Memnun

Prishtina rikthen trajnerin Ekrem Memnun


18 June, 2022 @10:42

Rekord-kampionja e Kosovës në basketboll, KB Prishtina, ka bërë të ditur dje se arritur marrëveshje me ish-trajnerin e saj, turkun Ekrem Memnun.

Trajneri 52-vjeçar që më të 16-tin e muajit të ardhshëm arrin të 53-tat, rikthehet në kryeqytet të Kosovës pas afro dy dekadash!

Memnun ka drejtuar Prishtinën në vitet 2003-2005, ndërsa njihet si themeluesi i gjeneratës së bardhekaltërve që mbushën vitrinat e klubit me trofe edhe në periudhën pas tij.

“Ekrem Memnun rikthehet në shtëpinë e kampionëve të cilën e drejtoi për 2 vite (2003-2005). Ai vjen pas një sezoni me skuadrën e madhe turke e Galatasaray tek meshkujt, por me një përvojë të madhe si trajner i Anadolu Efes, Daruşşafaka dhe fitues i EuroLeague me Galatasaray (femrat) dhe timonier i kombëtares turke (femrat). Ai poashtu posedon çmime individuale si: trajner i vitit në Kosovë (2005), trajner i vitit në EuroLeague (2014) dhe trajner i vitit në Superligën Turke (2015),” - ka shkruar ndër të tjera njoftimi i KB Prishtinës.

Në anën tjetër, në njoftim gjithashtu është bërë e ditur se që prej javës së ardhshme klubi do të nis të zyrtarizojë edhe përforcimet e skuadrës, me të cilët pritet të synojë titullin kampion.

“Me ardhjen e tij në Prishtinë, do të diskutohen transferet vendore dhe të huaja të cilat do të zbulohen në javët e ardhshme.” - ka bërë të ditur klubi.

Ndërsa, në anën tjetër bardhekaltërit nuk kanë folur aspak për trajnerin e deritashëm të tyre, Ante Nazor, në një stinor ku kroati bëri ç‘mos në Superligë, duke arritur deri në gjysmëfinale të PlayOffit. Tashmë ashiqare rrugët i kanë ndarë.

E periudha Memnun II, pas gati dy dekadash pritet me entuziazëm në kryeqytet. Prishtina nuk ka fituar titull kampioni që prej vitit 2019.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga