REKORD-KAMPIONJA
Prishtina zyrtarizon rikthimin në BIBL
5 August, 2021 @18:10
Skuadra që fitoi Kupën dhe Superkupën e Kosovës në stinorin e kaluar, Prishtina, ka zyrtarizuar rikthimin e saj në Ligën Ballkanike të basketbollit para pak çastesh.
BIBL, siç njihet shkurt Liga Ballkanike në vitin e fundit nuk ka pasur pjesëmarrës nga Kosova, ndërsa Prishtina ka fituar dy herë këtë garë.
Kujtojmë BIBL ka qenë organizatë e parë që ka pranuar Kosovën në rrethin e saj, para pranimit në FIBA, ku skuadrat kosovare më pas kanë marrë pjesë.
Ndërsa rekord-kampionja e Kosovës në basketboll në njoftimin e saj lidhur me pjesëmarrjen në këtë ligë për edicionin 2021/22 ka shkruar:
“Pas 4 vitesh mungesë, Prishtina ka vendosur t’i rikthehet BIBL. Si kampione e dyfishtë e kësaj gare, kampionja e dyfishtë padyshim se do t’i jep kualitet dhe popullaritet më të madh këtij kompeticioni. Kampionët e Ballkanit u rikthyen.”
Ndërsa BIBL në njoftimin e saj për rikthimin e Prishtinës në garë ka shkruar titullin: Kampionja i rikthehet BIBL.
Deri tash përveç skuadrave izraelite, në BIBL kanë konfirmuar pjesëmarrjen BC Balkan, KK Kumanovo, Navico Akademija, Akademik Plovdiv.