FBK
Zyrtarisht hapet rruga për rikthimin e Vëllaznimit në Superligë
4 August, 2021 @15:47
Skuadra e Vëllaznimit e cila ka rënë nga Superliga në stinorin e kaluar, tash më ka mundësinë që të kthehet në Superligë duke aplikuar për Wild Card, pasi që FBK ka hedhur publikisht rregullat për të aplikuar për Wild Card, që do të mundësojë rikthimin e Vëllaznimit në Superligë, derisa ajo është e hapur edhe për të gjitha skuadrat tjera të Kosovës, por pritet që Vëllaznimi t’i përmbush të gjitha kushtet.
Më poshtë mund të shihni rregullat e Wild Cardit Federata.
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 02.08.2021 duke u bazuar në nenin 9 të Rregullores për Licencim dhe Garim për edicionin 2021/22 ka vendosur të hap këtë:
KONKURS
Për pozitën e nëntë në Superligën e Meshkujve për edicionin 2020/21 nëpërmjet Wild Card.
Kushtet për një klub për të konkurruar për Wild Card, sipas nenit 9 të Rregullores për Licencim dhe Garim janë si më poshtë:
Të ketë garuar në edicionin 2020/21 në garat e FBK-së dhe ti ketë përmbushur të gjitha obligimet ndaj FBK-së.
Të paguajë shumën prej 10,000.00 (dhjetë mijë) Euro në xhirollogari të FBK-së.
Të përmbushë kriteret për licencim dhe garim të FBK-së për klubet e Superligës së Meshkujve për edicionin 2021/22.
Të ketë në dispozicion me qasje të vazhdueshme një palestër të sporteve me terren të basketbollit sipas dimensioneve dhe rregullave të FIBA-s.
Të ketë në dispozicion me qasje të vazhdueshme një palestër të sporteve me pajisjet teknike FIBA Equipment 2020.
Të ketë në dispozicion me qasje të vazhdueshme një palestër të sporteve me kosha të basketbollit me tabela dhe rrjeta sipas Propozicioneve të Garave të FBK-së dhe Rregullave të FIBA-s LEVEL
Të ketë në dispozicion me qasje të vazhdueshme një palestër të sporteve me zhveshtore për dy ekipe, një zhveshtore për personat zyrtarë një hapësirë të klubit me zyrë, të pajisur me telefon, internet dhe kompjuter.
Të ketë nën kontratë së paku 4 trajnerë të licencuar.
Të ketë në dispozicion së paku një person të autorizuar mjekësor.
Të ketë në dispozicion së paku një zyrtar - komesar për siguri
Të ketë të licencuar së paku një përfaqësues zyrtar në FBK.
Të ketë internet dhe të mundësojë qasje në internet në dhe afër tavolinës zyrtare.
Të ketë hapësirë për konferenca për shtyp dhe tu mundësojë gazetarëve punë komode në ndeshjet e veta.
Klubet e interesuara duhet të paraqesin kandidaturën e tyre në email adresën [email protected]
Afati për shprehje interesi për të gjithë klubet është deri më 13.08.2021 (e premte) në ora 16:00.