PRIZRENI FITON LEHTË
Prizreni me mbi 100 pikë ndaj Dritës, siguron gjysmëfinalen
1 September, 2021 @17:34
Skuadra e Prizrenit ka nisur furishëm Superkupën e Kosovës, duke kaluar lehtë në gjysmëfinale, pasi që mposhti Dritën e rikthyer në Superligë pa shumë telashe në çerekfinalen e parë të garës.
Prizrenasit të udhëhequr nga trajneri Arbnor Rifati nuk i kanë lënë afat gjilanasve për të bërë më shumë ndeshje, pasi që që prej fillimit të saj kanë udhëhequr dhe nuk kanë rrezikuar asnjëherë fitoren.
Pas çerekut të parë të fituar 26-21 dhe shtimit të epërsisë në çerek të dytë 26-15 Prizreni ka qenë edhe më i ashpër në pjesë të dytë për marrë të tretin dhjetë-minutësh me 26-11 dhe në fund me 28-22 për të fituar ndeshjen me rezultat 106-69.
Përforcimi i fundit i skuadrës, Ivan Koljevic, është treguar më i miri në ndeshje për Prizrenin. Ai dha 19 pikë për 35 minuta lojë, duke shtuar edhe 7 asistime e 9 kërcime në fitore.
Arti Hajdari e Courtney Fells dhanë nga 17 pikë secili, derisa Fells për një kërcim s’arriti të kryejë ndeshjen me double-double.
Në anën tjetër te Drita më i dalluari ka qenë Laurant Ibrahimi që shënoi 20 pikë, ndërsa kapiteni Qëndrim Demi dha 15 të tjera. Mungesa e lojtarëve të huaj bëri dallimin kryesor në ndeshje, derisa skuadra e Arben Bislimit do të duhet të mendojë seriozisht për Superligën që është në prag të fillimit të saj.
Me fitore, Prizreni tash në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës pret fituesin e përballjes së sontme, Prishtina-Peja.