NGRITEN NË TABELË!
Prizreni mposhti Istogun dhe u ngrit në renditje
24 December, 2023 @21:15
Skuadra e Prizrenit ka arritur që të dalë nga pozita e parafundit në renditjen tabelare të Superligës me anë të fitores së shënuar ndaj Istogut të dielën pasdite, duke e fituar ndeshjen me 13 pikë dallim, 83-96.
Istogu ishte në cilësinë e vendasit, por luajti në “Sezai Surroi” për shkak të mungesës së palestrës dhe u mbajt mirë në të gjithë çerekët pos të dytit, kur bardhezinjtë e drejtuar nga Tuncay Bostanci bënë dallimin 11 pikësh në ndeshje (10-21).
Isaiah Kelly me 27 pikë, 4 asistime e 12 kërcime ka qenë më i miri te Prizreni në fitore, ndërsa janë dalluar edhe Arti Hajdari e Ty Cockfield me nga 18 pikë të shënuara.
Desi Sills dhe Urim Zenelaj kryen ndeshjen me double-double, ku i pari dha 16 pikë me 13 kërcime, ndërsa i dyti shënoi 10 pikë e bëri 15 kërcime në fitore.
Te Prizreni debutoi edhe përforcimi i fundit i paralajmëruar i ekipit Montavious Murphy, që dha 3 pikë në 12 minuta lojë, ndërsa bëri edhe 5 kërcime e 1 asist në debutimin e tij në Superligë.
Istogu me DaQuan Brooksin dhe Des Hallowayin që dhanë 23, përkatësisht 18 pikë nuk arriti të bëj më tepër për të ndalë humbjen e radhës.
Prizreni me këtë fitore del në pozitë të gjashtë të renditjes, ndërsa bën bilancin 5-9 pas përfundimit të ciklit të dytë të ndeshjeve në Superligë, kurse Istogu mbetet me një fitore dhe tash ka bilanc 1-13.