MATCH REPORT: VËLLAZNIMI-PRIZRENI
Prizreni s’lejon befasi, Vëllaznimi mbetet pa fitore
31 October, 2020 @18:51
Skuadra e Prizrenit është këndellur në çerek të fundit të ndeshjes dhe nuk ka lejuar që Vëllaznimi t’i befasojë në Shani Nushi të Gjakovës sonte, në një përballje shumë interesante.
Basketbollistët e drejtuar nga Arbnor Rifati kanë arritur që të kthehen në lojë qetësisht dhe ta çojnë atë deri në fund, për të fituar lirshëm këtë ndeshje 88-97, pas një presioni të madh të gjakovarëve në çerek të dytë dhe të tretë, kur arritën të barazojnë rezultatin dhe të shpresojnë në fitore.
Transferi i afatit të fundit kalimtar te Prizrenit, Arti Hajdari, ka shkëlqyer për ekipin bardhezi nga Prizreni sonte, duke shpërthyer me 27 pikë në fitoren e sontme.
18 pikë tjera duke kryer ndeshjen me double-double i ka regjistruar edhe Josh Martin (16 kërcime), kurse Ty Nichols i pandalshëm përgjatë 40min lojë pa pushim ka kontribuuar me 16 pikë e 11 asistime në fitore!
Urim Zenelaj iu kthye normës së tij me double-double sonte, duke shënuar 12 pikë e 11 kërcime në vetëm 24 minuta lojë për ekipin e tij.
Te Vëllaznimi i Ljupcho Malinkovit, 30 pikët, 11 kërcimet e 7 asistimet e Christopher Lee Hortmanit nuk mjaftuan. Amerikani luajti me indeks efiçence 41!
Ndihma nga banka për Vëllaznimin mungoi sonte dhe kështu ekipi gjakovar nuk arriti të bëj befasinë e xhiros, derisa Prizreni regjistroi fitoren e parë të stinorit pas disfatës nga Golden Eagle Ylli në xhiron e parë të stinorit.